Familja e 52-vjeçarit Gentian Keta apelon për ndihmën e qytetarëve, pasi prej disa muajsh nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Motra e tij, Lindita, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me shpresën se publikimi i rastit do të ndihmojë në gjetjen e tij.
Sipas saj, familja nuk ka informacion të saktë për vendndodhjen e Gentianit, ndërsa shpresa e vetme mbetet që dikush ta ketë parë dhe të mund të japë një informacion që do të ndihmonte në gjetjen e tij.
Lindita tregon se rasti është referuar pranë institucioneve përkatëse dhe se i është drejtuar edhe Prokurorisë me një kërkesë zyrtare, ndërsa shpreson që publikimi i rastit të ndihmojë në sensibilizimin e opinionit publik dhe në përshpejtimin e veprimeve nga autoritetet.
Sipas informacionit që disponon familja, një mik i tyre pretendon se e ka parë Gentian Ketën në zonën e Rrugës Panorama në Tiranë gjatë muajve nëntor-dhjetor 2025, por nuk ka të dhëna të tjera konkrete mbi vendndodhjen e tij.
Në mesazhin drejtuar redaksisë, motra e tij shkruan:
“Ky është Gentiani, vëllai im. Nuk kemi informacion të saktë se ku ndodhet. Një i afërm më tha që e ka parë në Tiranë. Kush të ketë informacion të na lajmërojë. Uroj që edhe Prokuroria me këtë publikim të vihet në lëvizje.”
Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mund ta kenë parë ose kanë informacion për vendndodhjen e Gentian Ketës të kontaktojnë në numrin e telefonit: +355 69 460 3056.