Një aksident i rëndë rrugor i mori jetën gazetarit Xhesjon Zogu, vetëm 26 vjeç. I riu humbi jetën këtë të mërkurë në aksin Fushë Krujë-Rinas, në zonën e urës së Gjolës.
Xhesjoni udhëtonte me një automjet tip “Land Rover”, kur u përfshi në një përplasje me një “Mercedes-Benz”, që drejtohej nga Behar Ruçi. Sipas të dhënave paraprake, po hetohet dinamika e aksidentit dhe dyshimet se në përplasje mund të ketë ndikuar një manovër parakalimi e automjetit tjetër.
Por pas lajmit tragjik fshihet edhe historia e një 26-vjeçari që kishte kaluar jo pak vështirësi.
Xhesjoni ishte rritur pa të atin, i cili ishte ndarë nga jeta rreth 20 vite më parë. Ai jetonte në një fshat të Krujës së bashku me të ëmën dhe gjyshin e moshuar, ndërsa çdo ditë udhëtonte drejt Tiranës për të punuar.
Edhe rruga drejt shkollimit kishte kërkuar sakrifica. Për të qenë më pranë Tiranës dhe për të vazhduar studimet, Xhesjoni ishte larguar nga fshati dhe kishte qëndruar te xhaxhai i tij në Priskën e Vogël.
Njerëzit që e njihnin e përshkruajnë si një të ri punëtor dhe të përkushtuar, ndërsa për familjen ishte një mbështetje e rëndësishme. Humbja e tij ka lënë pas dhimbje të madhe te nëna, gjyshi, të afërmit, miqtë dhe kolegët.
Xhesjoni punonte në zyrën e shtypit të Western Balkans University, institucion që ka reaguar pas lajmit të ndarjes së tij nga jeta.
“Sot, i gjithë komuniteti i Western Balkans University humbi jo vetëm një koleg, por një të ri që kishte ende kaq shumë për të jetuar, për të ëndërruar dhe për të realizuar”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e universitetit.
Në reagim, kolegët kujtojnë energjinë dhe dëshirën e tij për jetën, ndërsa shprehin ngushëllimet për familjen dhe të gjithë njerëzit që e njohën.
“Do të na mungosh, Xhesjon. Do të na mungojë energjia jote, dëshira jote për jetën dhe gjithçka që ende ëndërroje të realizoje. U prehsh në paqe”, përfundon mesazhi.