Aksidenti tragjik i regjistruar tre ditë më parë në kryeqytet ku humbi jetën një 7-vjeçar nuk ka asnjë prej autorëve në qeli. Ky vendim është marrë së fundmi nga Gjykata e cila ka vendosur që të lërë në masën “arrest shtëpie” dy shoferët, Tomor Shukullin dhe Valentina Koltrakun.
Burime për mediat bëjnë me dije se Shukulli dhe Koltraku janë nxjerrë nga qelia duke u dërguar në shtëpi.
Ndonëse prokuroria kërkoi masën e arrest me burg për 55-vjeçarin dhe “arrest shtëpie” për 42-vjeçaren, togat e zeza vendosën që të dy shoferët t’i lironin nga qelia me një masë më të butë sigurie.
Para gjyqtarëve Shukulli deklaroi se kishte ndaluar për t’i dhënë të miturit disa para, të cilat i ranë në tokë, por theksoi që nuk e pa dhe në momentin që u ndez semafori u nis duke e kapur kështu poshtë 7-vjeçarin i cili po tentonte të mblidhte monedhat që i ranë.
Ndërkohë, që Valentina Koltraku ka deklaruar se ka qenë menjëherë pas fuoristradës dhe nuk ka pasur fushëpamje.
Të dy kanë shprehur tronditje për ngjarjen e rëndë, që thonë se është aksidentale. Shukulli tha se vetëm u përpoq ta ndihmonte të miturin duke i ofruar disa para.
Si ndodhi ngjarja:
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:00 të datës 24 shkurt në rrugën “Kastriotët”. Siç bëmë me dije dhe më herët, i mituri në momentin e ngjarjes po lypte në një nga akset e frekuentuara të qytetit. Ai kishte dalë përpara automjetit që drejtohej nga Tomorr Shukulli për t’i kërkuar para. Pamjet filmike të siguruara nga kamerat e zonës tregonin se drejtuesi i mjetit i ka dhënë disa monedha, të cilat i kanë rënë në tokë fëmijës dhe në përpjekje për t’i mbledhur, 7-vjeçari është ulur në asfalt.
Në atë çast semafori është hapur për automjetet dhe fatkeqësisht i mituri është përplasur. Goditja fatale, megjithatë, është shkaktuar nga një automjet i dytë, i drejtuar nga një 42-vjeçare, e cila pas përplasjes është larguar nga vendngjarja.
Në momentin e aksidentit janë dëgjuar thirrjet dhe britmat e qytetarëve të pranishëm. Drejtuesi i mjetit të parë ka zbritur nga makina dhe ka marrë fëmijën për ta transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës, por i mituri nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.