Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e djeshme qytetin bregdetar të Durrësit, pasi 18-vjeçarja Prayla Key Troplini u vetëhodh nga kati i pestë i një pallati duke humbur kështu jetën.
Pasi e Prayla ndërmori aktin e pakthyeshëm, kanë qenë të shumta reagimet e shpërndara gjerësisht në rrjet. Fillimisht u raportua se ajo u vetëvra për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike, dhe ende nuk ka një sqarim të plotë të këtij detaji.
Por kanë qenë miq të sajët që kanë dhënë deklarata të ndryshme për JOQ, sipas disa prej tyre Prayla, prej kohësh përballej me presion psikologjik dhe shantazh nga partneri në marrëdhënien e saj. Ata kanë shtuar më tej se Prayla nuk vuante nga depresioni dhe se nuk kishte shfaqur asnjë shenjë të tillë, por shtuan se 18-vjeçarja ishte vazhdimisht e ofenduar, e përdorur emocionalisht dhe e shantazhuar nga partneri i saj
Ndërkohë të tjerë persona po ashtu pjesë e shoqërisë së të resë, kanë deklaruar të kundërtën e kësaj, pasi sipas tyre Prayla dhe partneri i saj kishin një marrëdhënie normale për dy të rinj të moshës së tyre, dhe se nuk ka pasur asnjë shenjë presioni, dhune apo manipulimi emocional mes çiftit. Ata po ashtu kërkojnë të verifikohen mesazhet mes tyre.
Megjithatë, këto dëshmi ende nuk janë konfirmuar nga autoritetet përkatëse, dhe pritet një verifikim dhe njoftim prej tyre për zbardhjen e plotë të rrethanave që e shtynë 18-vjeçaren plot ëndrra t’i jepte fund jetës.
Një reagim është bërë edhe nga shkolla në të cilën studionte Prayla, ajo ishte ekselente dhe fituese e disa çmimeve.
“Nxënësja e shkollës sonë Prayla Key Troplini nuk është më mes nesh, nuk do na përshëndesë, nuk do na buzëqeshë, nuk do na përqafojë më. Sot parajsës iu shtua një lule tjetër, qiellit një yll tjetër, një shpirt tjetër i pastër” shkruhet ndër të tjera në reagimin e bërë prej shkollës.
Prayla është përcjellë dje për në banesën e fundit, duke u lënë pas njerëzve që e deshën vetëm kujtimet.
Postimi i plotë: Dita e sotme për të gjithë ne është mjaft e trishtueshme, kur në orët e para të mëngjesit goditemi me një lajm pikëllues.
Nxënësja e shkollës sonë Prayla Key Troplini nuk është më mes nesh, nuk do na përshëndesë, nuk do na buzëqeshë, nuk do na përqafojë më.
Sot parajsës iu shtua një lule tjetër, qiellit një yll tjetër, një shpirt tjetër i pastër.
Prayla e dashur, vallëzo me engjëjt! Buzëqeshja jote, butësia jote do të na shoqërojë gjithmonë.
Sot le një boshllëk të madh tek ne, mësuesit e tu që i respektoje aq shumë, te shokët dhe shoqet e klasës dhe shkollës, ku kalove vitet më të bukura të tuat.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes! Zoti i forcoftë në këtë humbje të madhe dhe të pafjalë!
Newsbomb.al