Të riut nga Kukësi, Ervin Lita, i njohur edhe si Ervin Axhami, i cili disa ditë më parë humbi jetën pasi u dhunua barbarisht nga disa persona në Britaninë e Madhe, do t’i jepet sot lamtumira e fundit.
Mësohet se ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 19:00 në fshatin Shtiqën të Kukësit.

Njoftimi
Axhami u gjet fillimisht i plagosur rëndë në një rrugë të qytetit Leicester dhe, pavarësisht ndihmës së dhënë nga ekipi i ambulancës, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
“Policia e Leicestershire tha se u kontaktua në orën 06:58 BST të dielën, pasi Shërbimi i Ambulancës së Midlands Lindore gjeti Ervin Litën, i njohur edhe si Ervin Axhami, në Compton Road”, raportoi BBC.
Dy persona, të moshës 36 dhe 27 vjeç, të cilët u arrestuan nën dyshimin për vrasje, janë liruar me kusht, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, njoftoi policia britanike.
Ndërkohë, autoritetet britanike kanë krijuar një portal të posaçëm për incidentet madhore, ku çdo dëshmitar ose person që disponon pamje nga kamerat e sigurisë apo kamerat e automjeteve mund të ngarkojë informacione që mund të ndihmojnë hetimin.