Një 29-vjeçar, i dyshuar për vjedhje xhepash, është ndaluar në stacionin e metrosë Badal në Barcelonë, pasi një turist shqiptar e neutralizoi dhe e mbajti të ndaluar deri në mbërritjen e policisë.
Sipas raportimeve në mediat spanjolle, hajduti dyshohet se përdorte teknika shpërqendrimi për t’u vjedhur telefonat celularë pasagjerëve në transportin publik. Por këtë herë, tentativa e tij përfundoi ndryshe.
Pas ndërhyrjes së turistit shqiptar, i dyshuari u mbajt i neutralizuar në vendngjarje, derisa mbërritën efektivët e Mossos d’Esquadra, të cilët më pas morën në dorëzim 29-vjeçarin.
Në pamje mund të shihni se si shqiptari e shtrin në tokë hajdutin, e godet disa herë dhe më pas kërkon llogari për turizimin në Barcelonë, deri sa vijnë efektivët dhe ndërhyjnë.
Pamjet e incidentit kanë qarkulluar në rrjetet sociale, ku ndërhyrja e shqiptarit është komentuar gjerësisht. Rasti është shndërruar në një tjetër episod që nxjerr në pah problemin e vjedhjeve të sendeve personale në transportin publik të Barcelonës.