Një ngjarje tronditëse është zbuluar në shtetin Uttar Pradesh të Indisë, ku policia ka arrestuar katër persona për vrasjen e një 32-vjeçari, Atul Kumar Panwar. Viktima u gjet i pajetë në banesën ku jetonte me bashkëshorten dhe djalin e tyre 6-vjeçar. Fillimisht u dyshua se ai kishte humbur jetën nga pickimi aksidental i një gjarpri, pasi në trup iu konstatuan shenja kafshimi dhe pranë shtratit u gjet një gjarpër krait, një nga speciet më helmues në Azi.
Sipas hetimeve, bashkëshortja e viktimës, Damini, dyshohet se kishte planifikuar krimin së bashku me një shofer autobusi shkollor, me të cilin autoritetet thonë se kishte një lidhje jashtëmartesore. Policia dyshon se fillimisht 32-vjeçarit iu dha qumësht i përzier me pilula gjumi dhe, pasi ai ra në gjumë, autorët përdorën gjarprin helmues për ta kafshuar, me qëllim që vdekja të dukej si një aksident.
Hetimet morën drejtim tjetër pas denoncimit të babait të viktimës, i cili ngriti dyshime mbi nusen e tij. Më pas, autoritetet arrestuan bashkëshorten, të dashurin e saj të dyshuar dhe dy persona që akuzohen se siguruan dhe përdorën gjarprin për të realizuar planin kriminal. Sipas policisë, provat e mbledhura tregojnë se bëhet fjalë për një vrasje të paramenduar, e organizuar për t’u maskuar si vdekje natyrale nga pickimi i një gjarpri.