Një zhvillim i fundit ka tërhequr vëmendjen në rrjet, pasi protestat në Shqipëri kundër projektit turistik në Zvërnec dhe kundër qeverisjes duket se kanë përfunduar edhe në Wikipedia.
Në platformën e njohur online është krijuar një faqe me titullin “Flamingo Revolution”, ku protestat përshkruhen si një seri demonstratash anti-qeveritare që nisën më 23 maj 2026 në zonën e Zvërnecit, pas kundërshtimeve për projektin luksoz turistik të lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner.
Në artikull përmendet se protesta lidhet me punimet dhe zhvillimet e planifikuara në zonën bregdetare të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, ndërsa përdoret edhe termi “Revolucioni i Flamingove”, referuar simbolikës që është përdorur gjatë protestave në rrjetet sociale.
Fakti që ngjarja është përfshirë në Wikipedia ka sjellë reagime të shumta online, me përdorues që e konsiderojnë si një tregues të jehonës ndërkombëtare që ka marrë protesta, ndërsa të tjerë ironizojnë emërtimin e përdorur në artikull.
Faqja në Wikipedia mban edhe shënimin se bëhet fjalë për një ngjarje aktuale dhe informacionet mund të ndryshojnë me zhvillimet e reja.
