Gazetari dhe moderatori Ronaldo Sharka ka reaguar përmes një serie të gjatë postimesh në Instagram, pas debatit të krijuar në rrjet lidhur me qëndrimin e tij ndaj protestës së fundit qytetare.
Fillimisht, Sharka zbuloi se ishte hequr nga lista e ndjekësve nga Fjoralba Ponari, duke ironizuar situatën dhe duke lënë të kuptohet se kjo mund të ketë ardhur si pasojë e presionit të krijuar në rrjetet sociale për personazhet publikë që nuk iu bashkuan protestës.

Më pas, ai sqaroi se nuk ka qenë kundër protestës dhe se ndër vite ka promovuar vazhdimisht Shqipërinë dhe zona si Zvërneci përmes punës së tij në media. Sipas Sharkës, demokracia nënkupton të drejtën për të protestuar, por edhe të drejtën për të menduar ndryshe pa u etiketuar.

Në një tjetër reagim, moderatori u shpreh se nuk ka përfituar kurrë nga politika dhe se e do vendin përmes respektimit të ligjit, institucioneve, mjedisit dhe qytetarëve të tjerë. Ai theksoi se protesta duhet të mbetet e qytetarëve dhe aktivistëve, duke shtuar se nuk ka qenë dakord me thirrjet ndaj VIP-ave për t’iu bashkuar lëvizjes.



Ronaldo Sharka ka vijuar reagimet e tij në rrjetet sociale lidhur me protestën e fundit qytetare, duke publikuar një seri mesazhesh drejtuar figurave të njohura të ekranit dhe medias.
Mesazhi për Dea Mishel
Në një nga postimet e tij, Sharka iu drejtua ish-banorjes së “Big Brother VIP Albania”, Dea Mishel. Ai kujtoi se e kishte vlerësuar gjatë eksperiencës së saj në reality show për mënyrën se si përballoi presionin dhe komentet negative në rrjet.
Përmes një mesazhi publik, ai i kërkoi të ngrejë zërin kundër gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave.
“Mos dhunoni kolegët e mi, mos dhunoni median. Urrejtja s’ka qenë kurrë zgjidhje”, shkroi Sharka.

Mesazhi për Fatma Haxhialliun
Një tjetër reagim iu kushtua moderatores Fatma Haxhialliu. Ronaldo kujtoi bashkëpunimin që kanë pasur vite më parë dhe i bëri thirrje të reagojë në mbrojtje të kolegëve të medias.
Ai u shpreh i shqetësuar për gjuhën e përdorur ndaj disa gazetarëve në rrjetet sociale dhe kërkoi solidaritet mes profesionistëve të medias.
“Të lutem, mund ta ngresh zërin për kolegët e tu të cilët po i urohet vdekja?”, shkroi ai në postimin e tij.

Mesazhi për Flor Binajn
Në një tjetër story, Ronaldo Sharka publikoi një fotografi të vjetër të aktorit Flor Binaj me Erion Veliajn, duke rikthyer në vëmendje debatet që lindën vite më parë kur Binaj kandidoi për kryetar bashkie.
Sharka kujtoi deklaratat e asaj kohe dhe ironizoi shpjegimet e dhëna nga aktori lidhur me praninë e tij në të njëjtin aktivitet me Veliajn.
Postimet e Sharkës kanë sjellë reagime të shumta në rrjet, duke hapur diskutime të reja mbi rolin e personazheve publike, mediave dhe aktivistëve në debatet që kanë shoqëruar protestën e fundit.

Për Krist Dragotin
Ronaldo Sharka ka reaguar edhe ndaj aktorit Krist Dragot, pasi familja e tij iu bashkua protestës. Në postimin e tij, Sharka vë në pikëpyetje angazhimin e Kristit për çështjet e artistëve, duke kujtuar se ai nuk ka reaguar publikisht kur u shemb Teatri Kombëtar. Moderatori shprehet se mbështetja për artin dhe artistët duhet të jetë e vazhdueshme dhe jo vetëm në momente të caktuara, duke i kërkuar aktorit të tregojë më shumë angazhim për kauzat që lidhen me komunitetin artistik.

Për Lekatarin (Zhaklina Lekatari)
Në një tjetër postim, Ronaldo Sharka shpreh respekt për aktivisten Zhaklina Lekatari, duke theksuar se ajo ka qenë e angazhuar prej vitesh në kauza të ndryshme shoqërore. Ai kujton se Lekatari është përballur shpesh me kritika dhe sulme publike për qëndrimet e saj, por pavarësisht kësaj ka vazhduar të ngrejë zërin për çështjet që beson. Sipas Sharkës, aktivistët e vërtetë nuk kërkojnë protagonizëm, por marrin pjesë në protesta dhe debate si qytetarë që mbrojnë bindjet e tyre.
