Një efektiv i Policisë së Kosovës është gjetur i pajetë mëngjesin e kësaj të marte në varrezat e fshatit Morinë, në Kukës.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, viktima është Sh. H., 35 vjeç, banues në Prizren, i cili shërbente në Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës.
Nga hetimet e para dyshohet se 35-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një vetëvrasjeje me armë zjarri. Në vendngjarje është sekuestruar pistoleta, e cila do t’i nënshtrohet ekspertizës si provë materiale, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale. Ndërkohë, Policia e Shtetit po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e sekuestruar ishte arma e shërbimit të efektivit dhe për të mbledhur çdo provë që do të ndihmojë në zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të rastit.