Një operacion i Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës ka zbuluar një skemë të dyshuar vjedhjeje dhe falsifikimi në një degë të UBA Bank, duke çuar në arrestimin e drejtorit Gilbert Hoxha dhe zv.drejtorit Albin Keta. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, dy drejtuesit dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar për të përvetësuar fondet e klientëve përmes mandateve të rreme të tërheqjes, ndërhyrjeve në sistem, konvertimeve valutore të paautorizuara dhe hapjes apo mbylljes së depozitave pa dijeninë e klientëve. Deri tani, dëmi i dokumentuar nga hetuesit llogaritet në mbi 200 mijë euro.
Në kuadër të të njëjtit hetim, Gjykata ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për gjashtë punonjëse të bankës: Griselda Bana, Dorisa Doka, Oksana Kadiu, Blerta Nelaj dhe Zhaklina Buçpapaj, të cilat dyshohet se kanë bashkëpunuar në realizimin e skemës përmes manipulimit të të dhënave dhe transaksioneve bankare. Ndërkohë, ndaj katër punonjësve të tjerë, Elona Qose, Iva Dollaku, Ensuida Keci dhe Bjorn Mazniku, është vendosur masa “pezullim nga detyra”, pasi dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me procedurat bankare, duke krijuar kushtet për realizimin e abuzimeve.
Hetimi nisi pas kallëzimeve të disa klientëve që konstatuan mungesa të konsiderueshme në llogaritë e tyre bankare. Një prej rasteve lidhet me tërheqjen e paautorizuar të 500 mijë lekëve nga tre llogari të një klienti, ndërsa vetë banka denoncoi një tjetër rast të ngjashëm. Sipas Prokurorisë, janë dokumentuar të paktën 30 tërheqje pa mandat, si dhe hapje e mbyllje depozitash në euro dhe dollarë pa autorizimin e klientëve. Hetuesit dyshojnë se numri i personave të dëmtuar mund të jetë më i madh, ndërsa verifikimet vijojnë për të zbuluar të gjitha rastet e përfshira në këtë skemë të dyshuar mashtrimi financiar.