Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Shkodër, ku Ylber Luli mbeti i vrarë pas të shtënave me armë dhe i ati Qamil Luli mbeti i plagosur. Mësohet se fillimisht 24-vjeçari Ylber Luli dhe autori Andri Vulaj janë konfliktuar gjatë mbrëmjes në një lokal në zonën e Gjuhadolit dhe më pas autori ka shkuar në banesën e viktimës rreth orës 5:00 të mëngjesit me idenë për tu sqaruar.
Vulaj ka shkuar i armatosur në banesën e Lulit dhe në bisedë e sipër, viktima dhe autori janë përleshur me njëri-tjetrin fizikisht. Në përleshje është përfshirë edhe babai i viktimës Qamil Luli. Në konflikt e sipër, Vulaj ka nxjerrë armën, një pistoletë që kishte me vete dhe ka qëlluar në drejtim të 24 vjeçarit, i cili humbi jetën në spital.
Gjatë përleshjes, i plagosur me thikë ka mbetur edhe Andri Vulaj. Pas ngjarjes ka mbërritur edhe policia, të cilët bënë ndalimin e autorit si dhe sekuestruan armën me të cilën Vulaj qëlloi viktimën.
Viktima gjithashtu është parë duke qëndruar deri në orët e vona jashtë banesës brenda makinës së tij bashkë me një person tjetër, ndërsa rreth orës 2 pas mesnate është futur në banesë. Tre orë më pas, Andri Vulaj ka shkuar në shtëpinë e viktimës duke qëlluar ndaj Ylber Lulit pas përleshjes fizike dhe plagosjes me thikë mes tyre.