Londër, Mbretëria e Bashkuar – Një nga nismat më ambicioze për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar pritet të zhvillohet gjatë vitit 2026 në Londër. “Albanian Career & Business Summit UK 2026” synon të bashkojë në një event të vetëm punëdhënës, kompani, sipërmarrës, institucione, organizata, profesionistë, studentë dhe punëkërkues shqiptarë, me fokus krijimin e mundësive reale për punësim dhe zhvillim profesional.
Me një kapacitet prej 900 pjesëmarrësish, samiti synon të jetë një nga eventet më të mëdha të këtij lloji të organizuara ndonjëherë për komunitetin shqiptar në Britani.
Në qendër të këtij eventi do të jenë vendet e lira të punës, duke krijuar mundësinë që pjesëmarrësit të takojnë drejtpërdrejt kompanitë dhe punëdhënësit. Për herë të parë në një event të këtij lloji për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, pjesëmarrësit synohet të kenë mundësinë të aplikojnë drejtpërdrejt (live) për vende pune, të zhvillojnë biseda me përfaqësues të kompanive dhe të krijojnë kontakte që mund të çojnë në punësim.
Përveç mundësive të punësimit, eventi do të ofrojë mundësi aplikimi për programe trajnimi profesional, kurse kualifikimi dhe bursa të ofruara nga partnerët pjesëmarrës. Qëllimi është që çdo pjesëmarrës të largohet jo vetëm me kontakte të reja, por edhe me mundësi konkrete për të ndërtuar ose zhvilluar karrierën e tij.
Programi i samitit pritet të përfshijë diskutime dhe prezantime nga figura të njohura të komunitetit shqiptar, sipërmarrës, biznesmenë, profesionistë, përfaqësues institucionesh, diplomatë dhe folës të ftuar, të cilët do të ndajnë përvojën e tyre dhe do të diskutojnë sfidat dhe mundësitë për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas organizatorëve, qëllimi i këtij eventi shkon përtej organizimit të një konference. Nisma synon të krijojë një urë lidhëse mes njerëzve që kërkojnë punë, kompanive që kërkojnë staf, institucioneve që ofrojnë trajnim dhe organizatave që mbështesin zhvillimin profesional, duke ndihmuar komunitetin shqiptar të ketë më shumë akses në mundësi konkrete.
“Albanian Career & Business Summit UK 2026” synon të krijojë një traditë të re bashkëpunimi ndërmjet komunitetit shqiptar, biznesit dhe institucioneve në Mbretërinë e Bashkuar, duke e kthyer këtë event në një pikë referimi për punësimin, edukimin profesional dhe zhvillimin ekonomik të shqiptarëve në Britani.
Organizatorët bëjnë të ditur se informacionet mbi regjistrimin, biletat, programin dhe partnerët e eventit do të publikohen në vijim përmes kanaleve zyrtare të “Narrativa Shqiptare” dhe platformës Eventbrite.