Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj nga varrimi i të riut Eglant Koçi i cili humbi gjurmë në mënyrë të mistershme në fillim të qershorit të këtij viti, vrasja e tij në krye të të cilës thuhet se qëndron shoku i tij Armand Shakaj, është vënë sërish në qendër të vëmendjes.
Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se veç kërkimeve për Armand Shakaj i dyshuar për vrasjen e Eglantit është marrë në pyetje dhe pronari i një exchange në Tiranë. Bëhet me dije se prokurorët kanë pyetur një listë të gjatë dëshmitarësh, mes tyre dhe lavazhierë, të cilët janë shprehur se Shakaj iu tha për Porsche-n: Do vij të marr vetëm lajeni mirë! Të dy lavazhierët janë shprehur se gjatë larjes së makinës, kanë vënë re se në pjesën e tapetit të automjetit, prapa ndenjëses së shoferit, ishte një lëng i kuq në pamje të parë si gjak.
Pasi familjari i Eglantit denoncoi zhdukjen e tij në datën 5 qershor, ai i tregoi Policisë se i vëllai konvertonte kriptomonedha në një subjekt pranë spitalit ushtarak.
Por i pyetur nga Policia, administratori ka shpjeguar se viktima kishte më shumë se një muaj që nuk ishte paraqitur për të kryer konvertime. Ka qenë kjo dëshmia ajo e cila ka përforcuar akoma më shumë dyshimet se Eglant Koçi humbi gjurmët në mënyrë të mistershme që nga dita kur u paraqit në biznesin e shokut të tij, për shkak të portofoleve virtuale. I dyshuari rezulton se është thirrur nga Policia përgjatë orëve kur akoma nuk ishin zbuluar detaje për fatin e të riut, që familja e kërkonte që prej 5 qershorit, Shakaj tha para grupit hetimor se kishte takuar Eglantin në datën 3 qershor.
Në fashikujt e grupit të hetimor, përmendet se i dyshuari përdori kartën e mikut të mirë, duke cituar para Policisë një bisedë me të zhdukurin, ku ai shfaqej i shqetësuar për aktivitetin në fushën e Call Center-ave dhe kriptomonedhave.
Shakaj e mashtroi Policinë duke cituar viktimën, që sipas tij i kishte thënë: Njëri prej personave që ka portofolin tonë digjital ka rënë në burg në Dubai ndërsa tjetri i ka luajtur online në bixhoz. Sapo u la i lirë, në ditën që ai dëshmoi në lidhje me zhdukjen e Eglantit, Shakaj u zhduk pa lënë gjurmë mbas dhe që nga ajo ditë nuk e hapi më telefonin kur telefonohej nga Policia. Ndërsa kamerat e sigurisë treguan itenerarin e Eglantit teksa udhëtonte me një motor dhe vizitoi shokun e tij më datën 4 qershor. Për afro 40 minuta pasi kaloi pragun e derës, një person i veshur me të zeza, u largua me motorin e viktimës.
Dyshimet se Shakaj ishte autori kryesor i zhdukjes dhe vrasjes së Eglant Koçit, me të cilin kishte shoqëri prej kohësh, u përforcuan akoma më shumë nga momenti kur pamjet filmike filluan të nxirrnin në pah lëvizjet e tij më të fundit. Mirëpo pamjet më të rëndësishme për grupin hetimor, mbeten ato të datës 5 qershor, të orës 23:30 minuta kur Shakaj nxjerr një qese në formën e trupit të njeriut, të cilin e largon më pas me automjet
Kufoma e Eglant Koçit u gjet pas disa ditësh të gjata kërkimesh dhe AND-ja zbuloi se i përkiste të riut që u zhduk në mënyrë të mistershme. Ndërsa në burg vijon të mbahet 25-vjeçari Enea Zyferi, një student infermieri i cili ishte i punësuar si kamerier dhe dyshohet se ndihmoi autorin e krimit duke fikur kamerat. Ndërsa autori kryesor i ngjarjes i cili prej kohësh shoqërohej me viktimën, Armand Shakaj sot e kësaj dite është akoma në arrati.