Videoja që bëri xhiron e rrjetit disa ditë më parë, ku ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Dolce, u shfaq në një mbrëmje në Dubai në shoqërinë e një mashkulli misterioz dhe disa personave të tjerë, ka marrë një tjetër zhvillim. Sipas një mesazhi të mbërritur anonim në redaksinë e “Pa Dorashka” thuhet se bëhet fjalë për Halit Sahitaj, 60-vjeçarin me origjinë nga Kosova, me shtetësi serbe.


Ndërkohë në rrjet janë publikuar pamje të reja nga një festë luksoze, të shpërndara në Instagram nga Skenderi, mik i Halit Sahitajt. Në video shfaqet i njëjti ambjent me të njëjtit të ftuar, ndërsa sipas postimeve bëhet fjalë për festën e ditëlindjes së Skenderit.
Në tavolinë shihen dhjetëra të ftuar, ndërsa atmosfera shoqërohet me tortë ditëlindjeje, puro, muzikë dhe festime në një prej lokaleve luksoze të Dubait.
Emri i Halit Sahitajt ka marrë vëmendje pas një investigimi të publikuar nga media spanjolle El Español. Sipas artikullit, ai përshkruhet si figurë qendrore e një rrjeti të dyshuar kriminal që, sipas hetimit të autoriteteve spanjolle, vepronte nga Marbella. Në raportim thuhet se grupi dyshohej për zhvatje ndaj biznesmenëve, pastrim parash dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërsa përmenden edhe lidhje të pretenduara me zyrtarë të korruptuar rusë. Artikulli thekson se këto janë pretendime të ngritura në kuadër të hetimeve të autoriteteve spanjolle.
Po ashtu, El Español shkruan se gjatë hetimeve u dokumentua një stil jetese luksoz, me automjete të shtrenjta, ora dhe bizhuteri me vlerë, që sipas autoriteteve nuk përputhej me të ardhurat e deklaruara.
Edhe profilet në rrjetet sociale të mikut të tij Skenderit pasqyrojnë një jetë luksoze, i cili publikon vazhdimisht pamje nga udhëtime me avion privat, makina luksoze, restorante ekskluzive, puro dhe festa në Dubai. Në disa prej postimeve ata shfaqen duke udhëtuar së bashku.

Deri më tani, ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova” nuk ka reaguar publikisht lidhur me videot dhe pretendimet që po qarkullojnë në rrjet.