Monika Lubonja dhe Eli Fara po rikthehen në vëmendjen e publikut me aktivitetet e tyre, pas reagimeve për cenimin e privatësisë nga materialet intime të shpërndara në rrjet.
Lubonja ka publikuar një video promovuese në Instagram, ku dëgjohet të thotë: “Çudia më e madhe zgjat 7 ditë”. Shprehja ka tërhequr vëmendjen dhe ka lënë hapësirë për interpretime si një mesazh për zhvillimet e fundit. Megjithatë, aktorja nuk ka konfirmuar se fjalët lidhen me këtë çështje.
Në reagimin e mëparshëm, Monika kishte deklaruar se nuk kishte dijeni për filmimin dhe nuk kishte dhënë pëlqimin për publikimin e materialeve. Ajo njoftoi gjithashtu se i ishte drejtuar gjykatës.
Ndërkohë, Eli Fara ka njoftuar një mbrëmje muzikore më 16 tetor në Tiranë. Përmes posterit të publikuar në Instagram, këngëtarja ka konfirmuar pjesëmarrjen në “Natën e Legjendave”, përkrah Luiz Ejllit dhe Altin Shirës.

Njoftimi vjen pas deklaratës së saj publike për cenimin e privatësisë, ku theksoi se nuk kishte arsye të ndihej e turpëruar dhe se përgjegjësia u takonte personave që kishin cenuar jetën e saj private. Fara kishte bërë të ditur edhe se e kishte denoncuar çështjen në polici.
Me videon promovuese të Monikës dhe angazhimin muzikor të Elit, të dyja shfaqen sërish përpara publikut, ndërsa çështjet për të cilat kanë reaguar ia kanë drejtuar drejtësisë.