Bashkimi Evropian dënoi të martën deklaratën “nxitëse” të një ministreje të qeverisë së Serbisë, e cila shprehu mbështetje për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Snezana Paunoviç, ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, deklaroi të hënën për gazetën Kurir me seli në Beograd se “do ta spastronte etnikisht Kosovën”, po të kishte qenë në vendin e ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1999.
“Unë nuk do t’i likuidoja shqiptarët, siç po përpiqen ata tani ta spastrojnë etnikisht Kosovën nga serbët, por në mënyrë që secili prej tyre… të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë,” tha Paunoviç, e cila ka lindur vetë në Kosovë.
Qeveria serbe akuzon rregullisht autoritetet e Kosovës se po përpiqen të dëbojnë popullsinë e mbetur serbe nga vendi.
Ministrja vjen nga radhët e partnerit më të vogël të koalicionit qeverisës, Partia Socialiste e Serbisë (SPS), partia e themeluar nga Sllobodan Millosheviçi në vitin 1990 dhe e drejtuar prej tij deri në vdekjen e tij në vitin 2006, në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa priste vendimin për gjykimin ndaj tij për krime lufte.
Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian i dënoi komentet dhe u bëri thirrje udhëheqësve të të gjitha palëve “të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga çdo retorikë nxitëse”.
“Qëndrimi ynë kryesor dhe parimi themelor është se nuk ka vend dhe nuk duhet të ketë vend në Evropë për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik,” u tha gazetarëve në Bruksel zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, përgjegjshmërisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Ato bien gjithashtu ndesh me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,” shtoi ajo, duke iu referuar marrëveshjes së ngecur të ndërmjetësuar disa vite më parë.
Në Kosovë, ministri i Mirëqenies Sociale, Andin Hoti, akuzoi Paunoviçin se po promovon të njëjtat ide “si babai juaj ideologjik (Millosheviçi)”.
“Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk përbën kërcënim vetëm për Kosovën. Kjo është dëshmi se Serbia nuk është çliruar ende nga ideologjia gjenocidale dhe politika kriminale e Millosheviçit, e cila solli luftëra, masakra dhe turp historik,” tha Hoti.
Natasa Kandiç, aktiviste serbe për të drejtat e njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, organizatë që dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, tha se komentet e Paunoviçit e kthejnë Serbinë drejt një të kaluare të errët.
“Kur ministrja e qeverisë serbe, Snezana Paunoviç, e paraqet spastrimin etnik si zgjidhje politike, ajo nuk flet në emër të një Serbie që synon Bashkimin Evropian, por në emër të ideologjisë së luftërave të viteve 1990,” shkroi Kandiç në rrjetin social X.
Lëvizja Qytetarët e Lirë, një parti liberale opozitare në Serbi, i bëri thirrje kryeministrit Duro Macut ta shkarkojë Paunoviçin.
“Një person që justifikon dëbimin e njerëzve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të jetë anëtar i Qeverisë së Republikës së Serbisë. Është veçanërisht e rrezikshme që mesazhe të tilla vijnë nga ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, e cila duhet të garantojë barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve shtetërore dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjit,” thuhet në reagimin e partisë.