Dhjetëra qytetarë u mblodhën këtë të enjte në Poliçan për të protestuar kundër planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës së re Territoriale
“Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”, shkruhej në një nga pankartat e mbajtura nga protestuesit, të cilët kërkojnë që Poliçani të mbetet bashki më vete.
Momenti më kulmor i protestës ishte dorëheqja publike e kryetarit të Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, i cili deklaroi para qytetarëve se vendimi për prekjen e bashkisë përbën “një padrejtësi dhe një turp të madh”.
Menjëherë pas këtij veprimi, në shenjë proteste dhe pakënaqësie, disa qytetarë dogjën në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste.

Në shenjë kundërshtimi ndaj planit për bashkimin e Bashkisë së Poliçanit me Beratin në kuadër të Reformës së re Territoriale, protestuesit hodhën në flakë edhe tekstin e propozimit për ndarjen e re territoriale.
Në përfundim të tubimit, banorët firmosën një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.
Sipas draftit për Reformën Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit. Ky ndryshim është pjesë e planit për uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Kundër këtij propozimi ka shprehur rezerva edhe kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili është shprehur se shkrirja e bashkive të vogla do të sjellë shpopullimin e qyteteve.
Banorët këmbëngulin se Poliçani duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe kundërshtojnë përfshirjen e tij në Bashkinë e Beratit.