Një aksident i rëndë rrugor tronditi pasditen e kësaj të marte autostradën Durrës–Tiranë, pranë QTU-së, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga, duke shkaktuar dy viktima dhe 15 të plagosur.
Pas ngjarjes, Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, doli në një deklaratë për mediat nga vendi i aksidentit, ku sqaroi se, sipas të dhënave paraprake, autobusi nuk është përplasur me asnjë automjet tjetër.
Sipas Vatocit, drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin e mjetit për arsye që ende nuk janë përcaktuar, ndërsa autobusi është përplasur me trafikndarësen.
“Sot, rreth orës 15:00, ka ndodhur një aksident i rëndë, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë ka dalë nga rruga në vendin ku ndodhemi. Për arsye ende të paqarta, paraprakisht rezulton se nuk ka pasur kontakt me një mjet tjetër dhe drejtuesi ka humbur kontrollin e autobusit. Mjeti është përplasur me trafikndarësen dhe, si pasojë, konfirmohen dy viktima dhe 15 persona të plagosur, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje të stabilizuar”, deklaroi ai.
Drejtori i Policisë Rrugore konfirmoi gjithashtu se personi që ndodhet në gjendje të rëndë është një fëmijë.
“Po, mes të plagosurve ka një fëmijë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë”, u shpreh Vatoci.
Nga ana tjetër, Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, bëri të ditur se katër prej të plagosurve po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale në spital, ndërsa fëmija vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.