Një tjetër lajm i bukur vjen nga Ueda Ndrecaj dhe Arlind Gashi, çifti që e nisi historinë e dashurisë përpara kamerave të “Love Island Albania” dhe që sot po ndërton familjen larg vilës ku gjithçka nisi.
Ueda ka bërë të ditur se është në pritje të fëmijës së dytë, duke publikuar një video familjare përkrah Arlindit dhe vajzës së tyre, Amea.
“Edhe një herë! Nga 3 do të bëhemi 4!”, ka shkruar ajo, duke konfirmuar kështu pritjen e ëmbël.

Historia e Uedës dhe Arlindit është ndër ato raste kur një romancë e lindur në një reality show ka vazhduar edhe pas përfundimit të kamerave. Dyshja u njoh gjatë edicionit të parë të “Love Island Albania” dhe arriti deri në finale, ku u shpallën fitues nga publiku.
Pas daljes nga programi, marrëdhënia e tyre vazhdoi të konsolidohej, ndërsa në shkurt të vitit 2024 çifti dha lajmin se po priste fëmijën e parë.
Më 20 korrik 2024 erdhi në jetë vajza e tyre, Amea, duke i bërë Uedën dhe Arlindin prindër për herë të parë.
Tashmë, rreth dy vite më vonë, familja e tyre po zgjerohet sërish. Çifti nuk ka zbuluar ende në postimin e publikuar nëse pret një vajzë apo një djalë, por lajmi se “nga 3 do të bëhen 4” ka sjellë menjëherë urime nga ndjekësit.
Nga një njohje televizive te dashuria, fitorja e “Love Island”, prindërimi dhe tani një tjetër bebe në rrugë, historia e Uedës dhe Arlindit vazhdon me një kapitull të ri.