Një video ku shfaqet një 19-vjeçar me këmbë të dëmtuar, teksa tërhiqet zvarrë nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit, ka sjellë reagimin e Policisë së Shtetit.
Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën sesi është trajtuar i riu. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër efektivëve dhe shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1.
Ndaj punonjësve të pezulluar ka nisur gjithashtu një hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Për rastin kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë. Policia e Shtetit thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Sakaq, ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka urdhëruar hetim të plotë të rastit.
Reagimi i Policisë së Shtetit:
Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.
Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre