Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e 17-vjeçarit e ndodhur gjatë mesnatës në zonën e Kthesës së Kamzës, ku i mituri ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Sipas hetimeve paraprake, katër të rinj ndodheshin në banesën e 19-vjeçarit Rigers Sylaj dhe po konsumonin alkool në momentin kur ka ndodhur incidenti.
Dyshohet se në një moment, 19-vjeçari, djalë i një ushtaraku te Ministria e Mbrojtjes, ka marrë një pistoletë për t’ua treguar shokëve, duke menduar se arma nuk kishte fishekë, por ajo është shkrepur aksidentalisht dhe ka goditur 17-vjeçarin në kokë. Pas ngjarjes, i plagosuri është nxjerrë në oborr nga shokët dhe është njoftuar menjëherë ambulanca, ndërsa fillimisht ata kanë tentuar të paraqesin një version tjetër të ngjarjes.
Më pas, gjatë marrjes në pyetje, të rinjtë kanë pranuar se gjithçka ka ndodhur brenda banesës gjatë konsumimit të alkoolit. Policia ka marrë në hetim 19-vjeçarin dhe dy shokët e tij, ndërsa dyshohet se arma e përdorur ishte pa leje dhe në pronësi të të riut që e shkrep aksidentalisht. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.