Një zjarrfikës ka mbetur i dëmtuar gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit në Malin e Krujës, ku prej disa ditësh vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri.
Mësohet se gjatë ndërhyrjes, një gur i shkëputur nga terreni shkëmbor ka goditur zjarrfikësin në këmbë. Ai është transportuar në Spitalin e Krujës, ku po merr ndihmën mjekësore dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme.
Zjarri në Malin e Krujës vijon të paraqesë problematika, pasi flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe kanë krijuar rrezik edhe për zonat e banuara përreth.
Terreni i thyer dhe pjerrësia e zonës e bëjnë të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Ndërkohë, ekipet në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura.