Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Italinë, ku është gjetur i pajetë dhe i djegur trupi i gazetarit 53-vjeçar Luigi Esposito, i njohur si Luca Esposito. Trupi u zbulua në orët e para të mëngjesit në një zonë të izoluar në Eboli, në provincën e Salernos, pasi zjarrfikësit ndërhynë për të shuar një zjarr në shkurre.
Sipas mediave të huaja, ekspertiza paraprake mjeko-ligjore tregoi se 53-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri para se autorët t’i vinin flakën trupit. Në vendngjarje u gjet edhe një gëzhojë, ndërsa pista kryesore e hetimit është ajo e një ekzekutimi të ndjekur nga tentativa për të fshehur gjurmët e krimit.
Esposito punonte si biolog në Agjencinë Rajonale të Kampanjës për Mbrojtjen e Mjedisit dhe prej vitit 2012 ushtronte edhe profesionin e gazetarit. Ai drejtonte portalin sportiv ‘Tutto Salernitana’ dhe bashkëpunonte me një televizion lokal. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e kësaj vrasjeje.