Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, duke rrëzuar vendimin e Qeverisë që e largonte nga detyra. Vendimi u mor me shumicë votash, 5 me 3, në favor të rikthimit të Veliajt në detyrë, pavarësisht se ndodhet nën masë arresti.
Pro kërkesës së Veliajt kanë votuar gjyqtarët Marjana Semini, Ilir Toska, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Fjona Papajorgji, ndërsa Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi kanë votuar kundër.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se neni 115 i Kushtetutës ka epërsi ndaj ligjit për vetëqeverisjen vendore, dhe se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të ligjit. Sipas vendimit, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vepruar në kundërshtim me ligjin kur ka kërkuar shkarkimin e Veliajt.
Çfarë ndodhi më parë
Erion Veliaj u shkarkua më 25 shtator me vendim të Këshillit të Ministrave, me arsyetimin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj pas arrestimit më 10 shkurt.
Presidenti Bajram Begaj firmosi më 1 tetor dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë më 9 nëntor, por Veliaj e ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, e cila e pezulloi menjëherë shkarkimin.
Vetëm pak ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet e 9 nëntorit, duke argumentuar se mbajtja e tyre do të sillte “pasoja të pariparueshme” për Veliajn, pasi çështja e shkarkimit të tij ende nuk ishte shqyrtuar përfundimisht.
Seanca në Kushtetuese
Më 31 tetor, Kushtetuesja zhvilloi seancën publike për çështjen, ku i pranishëm ishte edhe vetë Veliaj – dalja e tij e parë publike pas arrestimit.
Mbrojtja e tij kërkoi anulimin e vendimit të qeverisë, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave dhe të Presidencës argumentuan se kishin vepruar në përputhje me ligjin dhe kërkuan shpalljen e moskompetencës së Gjykatës.
Akuza ndaj Veliajt
Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ngriti një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash përmes fondeve të Bashkisë së Tiranës dhe kompanive private të lidhura me kontrata publike.
Sipas prokurorisë, çifti dyshohet se ka përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet publike dhe ryshfete të biznesmenëve.