Një shtetase ruse 28 vjeçe, e shpallur e zhdukur që prej fundit të muajit korrik, është gjetur e pajetë brenda një valixheje në një kanal pranë Beogradit. Për ngjarjen është arrestuar një shtetas turk 25 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes.
Trupi i pajetë u zbulua mbrëmjen e 30 korrikut nga banorë të zonës pranë kanalit Vizelj, në Padinska Skela, në periferi të Beogradit. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, viktima u identifikua si Ljudmila Turkova, 28-vjeçarja ruse që kërkohej prej disa ditësh nga autoritetet.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, i dyshuari kryesor u arrestua në aeroportin e Beogradit, teksa po tentonte të largohej nga vendi. Autoritetet nuk kanë bërë publik identitetin e tij.
Hetimet paraprake tregojnë se e reja dyshohet se është vrarë në orët e para të 26 korrikut, brenda një apartamenti të marrë me qira në zonën e Borçës. Më pas, autori i dyshuar dyshohet se e futi trupin në një valixhe, e transportoi deri te kanali dhe e braktisi aty për të fshehur gjurmët e krimit.
28-vjeçarja humbi kontaktet me familjarët dhe miqtë mbrëmjen e 25 korrikut, kur ndaloi së përgjigjuri mesazheve. Pas denoncimit të zhdukjes, autoritetet nisën hetimet që çuan në zbulimin e trupit dhe arrestimin e të dyshuarit.
Prokuroria serbe ka marrë në dorë çështjen dhe po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e krimit.
Sipas mediave ndërkombëtare, që citojnë agjencinë ruse TASS, hetimet janë ende në zhvillim.