Një ngjarje tragjike ka tronditur Greqinë, ku dy vajza 17-vjeçare u hodhën nga tarraca e një pallati 6-katësh në zonën e Ilioupolit. Si pasojë e incidentit, njëra prej adoleshenteve humbi jetën, ndërsa tjetra ndodhet në gjendje kritike në spital, duke luftuar për jetën.
Ngjarja ndodhi mesditën e së martës në rrugën “Eleftheriou Venizelou”. Sipas mediave greke, autoritetet po hetojnë pistën e vetëvrasjes, pasi në tarracën e pallatit u gjet çanta e njërës prej vajzave, brenda së cilës ndodhej një shënim ku shpjegoheshin arsyet e aktit. Në letër shkruhej edhe mesazhi: “Na falni, ju duam shumë”.
Raportimet paraprake bëjnë me dije se në shënim përmendej presioni psikologjik dhe ankthi i lidhur me provimet kombëtare të maturës në Greqi, të njohura si “Panellinies”.
Sipas policisë, njëra prej vajzave jetonte në pallatin ku ndodhi ngjarja. Dy adoleshentet dyshohet se u ngjitën bashkë në tarracë dhe më pas u hodhën në boshllëk. Autoritetet konstatuan se dera e tarracës ishte e kyçur dhe besohet se vajzat e kishin mbyllur vetë para aktit.
Dëshmitarët thanë se pak minuta para tragjedisë, vajzat kishin kërkuar çelësat e tarracës nga administratorja e pallatit.
“Nuk kishte kaluar asnjë minutë dhe u dëgjua një zhurmë e fortë. Askush nuk mund ta imagjinonte çfarë do të ndodhte”, tregoi një banore e zonës.
Njëra prej të miturave u transportua me urgjencë në spitalin “Asklepieio” të Vulës, ku ndodhet në gjendje kritike, ndërsa policia e Ilioupolit vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë.