Kosova nuk dëshiron ta lërë Shqipërinë të vetme në këto ditë të vështira, teksa zjarret kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit dhe po vënë në vështirësi autoritetet dhe ekipet e angazhuara në terren.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme të ofrojë mbështetje për Shqipërinë, duke vënë në dispozicion kapacitetet që ka në përballimin e situatës së krijuar nga zjarret.
Maqedonci ka përcjellë gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës te homologët e tij në Shqipëri dhe Mal të Zi, vende që gjithashtu po përballen me vatra zjarri. Sipas tij, institucionet e Kosovës janë të gatshme të kontribuojnë aty ku nevojitet, nëse autoritetet përkatëse vlerësojnë se mbështetja e ofruar mund të jetë e dobishme në menaxhimin e situatës.
“Në këto ditë sfiduese, kur Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen me zjarre në zona të ndryshme të vendeve të tyre, u kam përcjellë homologëve të mi, ministrave të Mbrojtjes, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për të ofruar mbështetje me kapacitetet që kemi në dispozicion.
Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme, duke vënë në dispozicion kapacitetet tona për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret.
Në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi marrin një rëndësi të veçantë.
Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje dhe të kontribuojnë aty ku kapacitetet tona mund të jenë të dobishme”, shkruan ai.