Pas disa ditësh mes jetës dhe vdekjes, 16-vjeçari Klevis Dervishi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra në aksidentin tragjik të ndodhur në orët e para të së mërkurës.
I riu, i cili luftoi për ditë të tëra në shtratin e Spitalit të Traumës në Tiranë dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm.
Klevis ishte një prej të plagosurve në përplasjen fatale ku humbën jetën edhe 25-vjeçari Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij Sara Brugnatelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Tashmë, në vend të shpresës për rikthimin e tij në shtëpi, familjarët dhe miqtë përgatiten t’i japin lamtumirën e fundit 16-vjeçarit. Ai do të përcillet për në banesën e fundit ditën e nesërme në orën 13:00 në Sukth.
Lidhur me këtë humbje të madhe, së fundmi kanë reaguar edhe miqtë e të riut, për të cilët është e vështirë që ta pranojnë se një shok me të cilin kanë ndarë të qeshura, biseda dhe momente të përditshme, nuk do të jetë më mes tyre.

Njoftimi mortor
Në rrjetet sociale, ata kanë ndarë momente me Klevisin, duke shprehur mes disa rreshtave edhe boshllëkun që ka lënë pas ikja e tij e parakohshme.
“Sot është një nga ato ditë që nuk doja ta besoja kurrë se do të vinte. Ende më duket sikur është një ëndërr e keqe dhe pres të më thonë që gjithçka është gabim. Është shumë e rëndë të pranosh që një shok me të cilin ke qeshur, ke folur dhe ke kaluar momente bashkë, sot nuk është më këtu. Visi, nuk di çfarë të them përveçse do të më mungosh pafund. Do më mungojnë bisedat, të qeshurat, momentet që kemi kaluar dhe çdo gjë e vogël që sot ka marrë një tjetër kuptim. Ndoshta koha do të kalojë, por kujtimet me ty nuk do të zhduken. Do të mbetesh gjithmonë pjesë e kujtimeve të mia dhe e zemrës time.
Sot fjalët janë të pakta përballë kësaj dhimbjeje. Do doja vetëm edhe një herë të të shihja, të flisnim e të qeshnim si dikur. Por tani na mbeten vetëm kujtimet. U prehsh në paqe, Visi. Shpresoj që kudo që të jesh, të jesh i qetë. Lamtumirë shoku im, nuk do të harrohesh kurrë”, shkruan një prej tyre.
“Klevis, edhe pse nuk je më mes nesh, kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në zemrat tona. Mungesa jote dhemb çdo ditë, por emri yt nuk do të harrohet kurrë. U prehsh në paqe, Klevis”, shkruan një tjetër mik.
Siç kemi raportuar dhe më parë, aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në Manzë. Automjeti tip BMW, me të cilin udhëtonin pesë të rinj, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë me një strukturë betoni.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, ndërsa automjeti është rrokullisur disa herë, duke u marrë kështu jetën drejtuesit të mjetit me të cilin udhëtonin, Kleo Vrioni, si dhe bashkëshortja e tij, Sara Brugentelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Referuar pamjeve dhe ekspertizës të dalë në sajë të aksidentit tragjik, shkak i ngjarjes është raportuar se ka qenë drejtimi i makinës me shpejtësi jashtë normave të lejuara dhe në gjendje të dehur nga Kleo Vrioni.