Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonat malore të Librazhdit, ku një stuhi e fortë me aktivitet të lartë elektrik ka përfshirë Parkun Kombëtar të Shebenikut, Malësinë e Sopotit, Polisin, Xhyrën, Dardhën dhe Spatharin. Sipas raportimeve, gjatë disa orëve janë regjistruar dhjetëra goditje rrufesh në terrene të hapura dhe zona kullotash, duke krijuar panik te banorët dhe blegtorët që ndodheshin në male me bagëtitë e tyre.
Ngjarja më e rëndë është shënuar në fshatin Spathar, në njësinë administrative Qendër, në vendin e quajtur “Arrës”, ku një tufë dhish është goditur drejtpërdrejt nga rrufeja. Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, raportohet se të gjitha kafshët e tufës kanë ngordhur në vend, duke shkaktuar një humbje të konsiderueshme ekonomike për familjen e bariut, e cila vlerësohet në dhjetëra krerë bagëti.
Në momentin e ngjarjes pranë tufës ndodhej edhe bariu S. Kurti, i cili fatmirësisht i mbijetoi goditjes, por u gjet disa orë më vonë në gjendje shoku të rënduar psikologjikisht. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Banorët e zonës e përshkruajnë stuhinë si një nga më të fortat e viteve të fundit, me rrufe të vazhdueshme për orë të tëra që rrezikuan seriozisht jetën e njerëzve dhe bagëtive në kullota.