Aktori dhe kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Erion Veliajt, duke e rikthyer në detyrë si kryebashkiak i Tiranës.
Në një reagim publik, Binaj theksoi se pavarësisht vendimeve institucionale, thelbësor mbetet fakti që Tirana ka nevojë për ndryshim.
“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës, thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet, me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë,” – shkruan Binaj.
Ai shton se kjo nuk është një garë për pushtet, por një përpjekje për qytetin.
“Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë,” – përfundon ai.