Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X ndaj raportimeve të mediave ndërkombëtare, mes tyre edhe CNN, lidhur me protestat e ditëve të fundit kundër projektit të diskutuar për zhvillimin turistik në zonën e Zvërnecit.
Në një postim të gjatë, Rama deklaron se protesta e zhvilluar këtë të shtunë ka mbledhur rreth 2 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas tij, edhe në kulmin e saj pjesëmarrja nuk ka kaluar shifrën e 8 mijë protestuesve.
Kreu i qeverisë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si, sipas tij, një protestë lokale është shndërruar në një ngjarje me jehonë ndërkombëtare, duke folur për një hendek të madh mes realitetit dhe mënyrës se si ai është paraqitur në hapësirën mediatike dhe në rrjetet sociale.
Rama thekson se aktualisht nuk ekziston ende një projekt përfundimtar, nuk është dhënë leje ndërtimi dhe nuk ka nisur asnjë punim ndërtimor. Sipas tij, ekziston vetëm një vizion dhe një plan për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik elitar, duke garantuar një zhvillim me ndikim pozitiv në mjedis.
Në reagimin e tij, Rama kritikon ashpër atë që e cilëson si “histeri dixhitale”, duke pretenduar se rreth çështjes janë shpërndarë imazhe të manipuluara, pretendime të fabrikuara dhe janë përdorur metoda të koordinuara të amplifikimit në rrjet.
“Ndërsa po flasim, protesta e sotme ka mbledhur rreth 2 mijë pjesëmarrës. Është pjesëmarrja më e ulët deri tani, por edhe në kulmin e saj numri i pjesëmarrësve nuk i ka kaluar kurrë 8 mijë persona”, shkruan Rama.
Më tej, kryeministri shprehet se bota demokratike duhet të reflektojë mbi diferencën mes realitetit në terren dhe mënyrës se si ngjarjet pasqyrohen në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare.
“Atëherë si shpjegohet që ajo që një pjesë e madhe e botës ka parë gjatë ditëve të fundit duket kaq e madhe, kaq dramatike dhe kaq mbresëlënëse?”, shkruan Rama në reagimin e tij.