Një 5-vjeçar është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ka rënë nga një lartësi prej rreth 3 metrash.
Ngjarja ka ndodhur në Libohovë, ku i mituri me inicialet Y.I., teksa po luante me motrën e tij të mitur, dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe i ka rrëshqitur këmba, duke rënë nga lartësia.
Fillimisht, 5-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Gjirokastrës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Për shkak të nevojës për trajtim më të specializuar, ai është dërguar më pas drejt kryeqytetit, në Spitalin e Traumës.
Sipas informacionit paraprak, gjendja shëndetësore e fëmijës është e stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.