Screenshot
Eva Pepaj ka folur hapur për rrugëtimin e saj personal dhe profesional, nga fëmijëria në Shqipëri te emigrimi në Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjet për të ndërtuar një karrierë në Hollywood.
E ftuar së fundmi në “Wild Truth Podcast” me Max Amini, së bashku me partnerin e saj Javier, Eva është kthyer pas në kohë duke treguar se pasioni për aktrimin kishte nisur që kur ishte fëmijë.
Një rol të rëndësishëm në këtë dëshirë kishte babai i saj, i cili ishte aktor teatri në Shqipëri dhe u bë frymëzimi i parë për të ndjekur botën e artit.
Në moshën 12-vjeçare, Eva u largua drejt Shteteve të Bashkuara. Por përshtatja me jetën e re nuk ishte e thjeshtë. Duke jetuar mes dy kulturave, ajo kujton se për një periudhë e kishte të vështirë të gjente vendin e saj.
“Nuk isha kurrë mjaftueshëm shqiptare dhe nuk isha kurrë mjaftueshëm amerikane”, rrëfeu Eva.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, ajo mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën: të nisej e vetme drejt Los Angeles-it.
Madje, familjes i kishte krijuar përshtypjen se çdo gjë ishte e sistemuar, ndërkohë që realiteti ishte krejt tjetër.
“Mora makinën dhe erdha në Los Angeles”, tregoi ajo, duke kujtuar fillimet e pasigurta në qytetin ku ëndërronte të ndërtonte karrierën.
Modelingu i hapi dyert e para dhe u bë një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të saj. Megjithatë, Eva kuptoi se ambiciet e saj shkonin përtej paraqitjes fizike.
“Isha e bukur dhe më punësonin, por kishte diçka më shumë”, u shpreh ajo.