Një 36-vjeçar nga fshati Plug i Lushnjës, i identifikuar si Mariglen Gashi, dyshohet se ka kryer dy vjedhje brenda dy ditësh, 16 dhe 17 korrik, vetëm një ditë pasi ishte liruar nga burgu përmes amnistisë penale në datë 15 korrik. Sipas hetimeve, Gashi, i cili rezulton i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, kishte vetëm dy ditë që kishte rifituar lirinë.
Sipas të dhënave hetimore, më 16 korrik ai dyshohet se ka vjedhur dy bateri automjetesh, ndërsa një ditë më pas është futur në një lokal në fshatin Plug, ku ka marrë një shumë parash dhe një kompjuter portativ. Pas largimit nga ambientet, dyshohet se i ka vënë zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarjet po hetohen për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të verifikuar nëse 36-vjeçari mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme në zonë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprimet e mëtejshme.