Ditën e sotme nis zbatimi i amnistisë penale për mbi 1300 të burgosur. Ligji, i cili u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj, tashmë ka hyrë në fuqi. Prej tij përfitojnë edhe gra e të mitur.
Sipas ligjit të miratuar me votën e 84 deputetëve, 81 ligjvënës socialistë dhe tre të PSD, do të përfitojnë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe nëse vendimi i Apelit nuk është zbardhur ende.
Duke qenë se nga miratimi i ligjit e më pas hyrja në fuqi, ka kaluar një periudhë kohore, kjo mund të ndikojë në rritjen e numrit të përfituesve që mund të kenë përmbushur afatet.
Sipas të dhënave paraprake, nga burgu i Kosovës në Lushnje lirohen rreth 120 të burgosur, rreth 98 në Fier dhe 200 përfitojnë ulje dënimi. Nga burgu i Drenovës në Korçë priten të lirohen rreth 60 të burgosur dhe 15 gra nga burgu në Pojskë.
Sipas ligjit, liri do të përfitojnë burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime më të lehta gjobë, apo dënime të tjera alternative, gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta. Po ashtu lirohen burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim si dhe gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim.
Një tjetër kriter përfitues është dhe mosha. Burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë kryer veprën penale, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.
Jashtë amnistisë mbeten të dënuarit për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, dhe shumë vepra të tjera të rënda. Gjithashtu nuk do të përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, pra ata që janë fshehur, arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimit penal.
Të gjitha veprat që bien nën juridiksionin e SPAK, dhe të gjithë personat që kanë një vendim nga GJKKO nuk do të mund të përfitojnë pavarësisht për çfarë janë dënuar.
Përfituesve të tjerë u falet ndjekja penale për disa kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët.