Familja Zarka ka bërë publik njoftimin mortor për ndarjen nga jeta të 47-vjeçarit Ilir Zarka, ngjarje që ka tronditur jo vetëm qytetin e Fierit, por edhe opinionin publik për rrethanat e pazakonta në të cilat ai humbi jetën.
Përmes njoftimit zyrtar, familjarët shprehen se me dhimbje të thellë njoftojnë vdekjen e të dashurit të tyre, ndërsa bëjnë të ditur edhe detajet e ceremonisë së varrimit. Sipas njoftimit, ceremonia do të zhvillohet ditën e martë, më 14 prill 2026, në orën 10:00, ndërsa pritjet do të mbahen pranë ambienteve të “Home Funerale Siqeca”, në lagjen “Afrim i Ri” në Fier.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Ilir Zarkës vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në lagjen “8 Shkurti”, ku ai u gjet pa shenja jete në një banesë ku dyshohet se kishte hyrë për të grabitur. Sipas informacioneve paraprake, 47-vjeçari kishte mbetur i bllokuar në kangjellat e një dritareje dhe dyshohet se ka qëndruar në atë gjendje për disa orë, çka mund t’i ketë shkaktuar edhe vdekjen.
Trupi i pajetë u zbulua nga persona që kujdeseshin për banesën, ndërsa më pas u njoftua policia. Aktualisht, autoritetet janë në pritje të përfundimeve të ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Ndërkohë, familja ka hapur dyert e mortit dhe ka pritur ngushëllime, në një atmosferë dhimbjeje për humbjen e papritur të të afërmit të tyre. Ngjarja ka lënë pas shumë pikëpyetje, por mbi të gjitha ka sjellë një tragjedi që ka prekur thellë familjarët dhe të njohurit e viktimës.