Screenshot
Një lajm i hidhur dhe i papritur ka mbuluar me dhimbje familjarët, të afërmit dhe miqtë e Arlend Prend Gjonit, i njohur nga të gjithë si Ledi, i cili është ndarë nga jeta në moshën 35-vjeçare.
Një jetë e ndërprerë shumë herët, në një moshë kur përpara tij shtriheshin ende shumë vite, ëndrra, plane dhe projekte, mirëpo zemra e tij e tradhtoi duke ia lënë mes të gjitha ëndrrat dhe punën që ai kishte ngritur.
Sipas njoftimit të familjes, Arlendi ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak, duke lënë pas një dhimbje të madhe dhe një boshllëk që për familjarët dhe njerëzit e tij të dashur do të jetë i vështirë për t’u mbushur.
Arlend Gjoni ishte me origjinë nga Berisha e Pukës. Ai kishte ndërtuar me shumë mund, punë dhe përkushtim një rrugëtim të suksesshëm në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes. Jeta e tij profesionale nisi si emigrant, ku me përpjekje të vazhdueshme arriti të ndërtonte të ardhmen e tij, përpara se të rikthehej te pasioni për sipërmarrjen, teknologjinë dhe idetë e reja.
Por për Arlendin suksesi nuk ishte vetëm një çështje ekonomike. Ai ishte një njeri që besonte te puna, te risia dhe te mundësia për të ndërtuar diçka që do të mbetej edhe pas tij.
Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ishte bashkëthemelues i Prepaire Labs, një kompani e angazhuar në zhvillimin e teknologjive të avancuara në fushën e bioteknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Në mesin e projekteve ku ai ishte i përfshirë ishte edhe GenetiQ Digital Tëin, një teknologji ambicioze që synon të ndërthurë të dhëna gjenetike, metabolike, klinike, imazherike dhe biometrike, me qëllimin për të identifikuar më herët rreziqet shëndetësore dhe për të ndihmuar në personalizimin e trajtimeve.
Ishte pikërisht kjo dëshira për të parë përtej së tashmes që e karakterizonte Arlendin. Ai kishte ende shumë ide për të zhvilluar, shumë projekte për të çuar përpara dhe shumë ëndrra që koha nuk i dha mundësinë t’i përfundonte.
Ata që e njohën do të mbajnë mend një djalë të ri me ambicie të mëdha, me dëshirën për të punuar dhe për të ecur përpara, një njeri që nuk u mjaftua me atë që kishte arritur, por gjithmonë kërkoi të ndërtonte diçka më shumë. Dhe me ikjen e tij të bëfte ka lënë në dhimbje të thellë, familjarët, shokët, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën.
Familja ka njoftuar se pritja për të ndjerin Arlend Prend Gjoni do të bëhet pranë Shtëpisë Funerale “Alba 2000”, në rrugën e Durrësit, duke nisur nga ora 13:00 e ditës së shtunë.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të dielën, më 16 gusht, në orën 13:00, pranë varrezave të Prushit, Kombinat, Tiranë.