Policia greke po mbledh prova të reja për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë në Athinë, ku 50-vjeçari Altin Allmuça vrau të 45-vjeçaren Julieta Obzova dhe më pas kreu vetëvrasje.
Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë marrëdhënien mes dy personave dhe motivin e krimit.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, Allmuça ishte i martuar dhe baba i një fëmije.
Gruaja e tij mësohet t’u ketë thënë autoriteteve se nuk kishte dijeni për marrëdhënien e bashkëshortit me viktimën.
Policia po shqyrton provat që tregojnë se mes 50-vjeçarit dhe 45-vjeçares mund të ketë pasur një marrëdhënie personale, ndërsa natyra, kohëzgjatja dhe dinamika e saj nuk janë përcaktuar ende.
Në kuadër të hetimeve, policia ka kontrolluar banesën e Allmuçës në Tavros, në kërkim të provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënies mes tyre dhe përgatitjen e krimit.
Në fokus janë pajisjet elektronike, dokumentet dhe sende të tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të tij para ngjarjes.

Julieta Obzova
Gjithashtu, po analizohen telefonat celularë dhe aktiviteti online i dy personave, për të përcaktuar nëse ka pasur komunikime, takime apo konflikte para vrasjes.
Sipas hetimeve paraprake, 50-vjeçari shqiptar dyshohet se kishte ngritur një kurth për 45-vjeçaren dhe e priste jashtë banesës së vajzës së saj. Pasi e qëlloi për vdekje, ai përdori të njëjtën armë për t’i dhënë fund jetës.