Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në ambientet e burgut të Durrësit nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe BKH.
Gjatë kontrollit në godinën B është konstatuar dhe sekuestruar një aparat celular tip iPhone, së bashku me një karikues dhe një fishë lidhëse të improvizuar.
Pajisja është marrë në cilësinë e provës materiale dhe po administrohet sipas procedurave ligjore.

Celulari i gjetur ne IEVP Durres
VoxNews ka mësuar se “iPhone 17 Pro Max” i përket të burgosurit Klevis Hoxhosmani, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar lidhur me pronësinë e pajisjes.
Hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat e futjes së sendeve të ndaluara në institucion.
Klevis Hoxhosmani është në një lidhje me Kejda Ajazin, vajzën e Majlinda Bregut, ish-ministre e Integrimit Evropian dhe ish-deputete e Partisë Demokratike.
Njoftimi i Burgjeve:
Në vijim të kontrolleve të befasishme dhe të intensifikuara të ushtruara nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), është evidentuar një rast i posedimit të sendeve të ndaluara në ambientet e IEVP Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.
Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe në goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit.