Detaje tragjike kanë dalë në pah nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Fushë-Mamurras, ku u tha se 57-vjeçarja Violeta Shpani ka qëlluar për vdekje me thikë, mamanë e saj 85-vjeçare.
Pas raportimeve të bëra nga mediat të shumta, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i familjarëve.
Në reagime të bëra për JOQ Albania, familjarët janë shprehur se Violeta Shpani vuante prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa theksojnë se ajo nuk ka qenë në gjendje të organizojë dhe të kryejë e vetme një krim të tillë. E jo më të fshehë gjurmët e krimit, siç ngjarja u raportua.
Të afërmit e familjes janë shprehur se pranë banesës së 85-vjeçares jetonte edhe djali i saj së bashku me bashkëshorten.
Ata shprehen se marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë të mira, duke zbuluar dhe episode të mëparshme dhune ndaj nënës dhe motrës, që u kanë shkaktuar atyre edhe thyerjen e gjymtyrëve.
Deklaratat e tyre ngrenë dyshime se djali ose nusja e të moshuarës mund të kenë pasur gisht në vrasjen e saj.
Për rrjedhojë, ata kërkojnë që hetimet të mos kufizohen vetëm te një pistë te ajo se autorja e ngjarjes është vajza e familjes, por të verifikohen të gjitha rrethanat dhe personat që mund të kenë pasur lidhje me ngjarjen.
Dyshime të tjera rrjedhin dhe nga ceremonia mortore e zhvilluar. Sipas tyre, ceremonia është zhvilluar sipas traditave të krahinës së Mirditës, ku përgatitjet për varrim kërkojnë kohë dhe angazhim të disa personave.
Kështu ata nënvizojnë se një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor (siç është vajza e shtëpisë e cila akuzohet për vrasjen e nënës) do ta kishte të pamundur të kryente i vetëm të gjitha veprimet.
Po ashtu, familjarët bëjnë me dije se ata janë njoftuar për vdekjen e 85-vjeçares rreth orës 14:00, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit.
Ditën e djeshme, Policia e Lezhës bëri me dije se janë vënë në pranga Violeta Shpani si e dyshuara kryesore e vrasjes së mamasë së saj, si dhe është proceduar penalisht mjekja e spiitalit e cila e raportoi vdekjen e të moshuarës si ngjarje e ndodhur për shkaqe natyrale.