Ministrja e arsimit Mirela Kumbaro ka marë një pyetje nga njëri prej gazetarëve të pranishëm, në lidhje me lajmet e qarkulluara pak kohë më parë, për disa gra të veshura me “hijab”, të mbuluara, të cilat ishin parë në disa zona të Tiranës. Kujtojmë se më vonë policia dha një njoftim zyrtar përmes së cilit lajmëroi se zonjat në fjalë i përkisinin kampit të muxhahedinëve të Manzës.
Ministres iu përmend rasti i një makine të parë nga prindërit pranë shkollës së fëmijëve në zonën e Freskut, në kryeqytet, dhe u pyet nëse janë marrë masa nga Ministria dhe a ka një bashkëpunim dhe komunikim me Policinë e Shtetit, si edhe u theksua shqetësimi i prindërve për mungesë informacioni.
Kumbaro u përgjigj duke thënë se masat e sigurisë janë në nivel maksimal dhe po i njëjtë është edhe bashkëpunimi me policinë sidomos përmes punonjësve të sigurisë numri i të cilëve është rritur tashmë.
“Dua t’u siguroj juve dhe të gjithë prindërit që masat e sigurisë janë në garantim 100 % të sigurisë së femijëve. Ne jemi në bashkëpunim 100 % me policinë e shtetit dhe në pjesën më të më madhe të shkollave janë shtuar punonjësit e sigurisë që janë persona kontakti me policinë”, tha Kumbaro ndër të tjera.