Agim Bubeqi, një nga protagonistët e Flamurtarit gjatë viteve 1985-1990, është gjetur i pajetë në banesën e tij në qytetin e Vlorës.
Ish-futbollisti i njohur i kohërave të arta të Flamurtarit, dyshohet se ka ndërruar jetë prej disa ditësh, ndërsa vetëm këtë të mërkurë është gjetur trupi i tij.
Kanë qenë komshinjtë ata që kanë vënë re mungesën e tij dhe më pas e kanë gjetur të pajetë në apartament.
Agim Bubeqi, i lindur më 7 prill 1963, e zhvilloi të gjithë karrierën e tij profesionale me fanellën e Flamurtarit, ku luajti në rolin e sulmuesit.
Ai ishte pjesë e një prej brezave më të rëndësishëm në historinë e Flamurtarit, skuadër që gjatë viteve ’80 u shndërrua në një prej ekipeve më të forta të futbollit shqiptar dhe la gjurmë edhe në arenën europiane.
Një legjendë e futbollit vlonjat, që vitet e fundit kishte zgjedhur të qëndronte larg vëmendjes dhe jetës publike. Mësohet se kishte pasur probleme shëndetësore dhe ishte shkëputur plotësisht nga aktiviteti i përditshëm.