Personi që po shihni në foto është Edmond Sula, 50-vjeçari i cili u qëllua me armë zjarri teksa po hynte në shtëpi në Vorë. Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, viktima është qëlluar për vdekje me një plumb të vetëm, i shkrepur me një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi.
Një tjetër element që dëshmon planifikimin e detajuar të autorit është fakti se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka lë të kuptohet se qitësi ka vepruar nga një distancë e konsiderueshme dhe me mjete të sofistikuara. Në fokus të hetimeve është vënë aktiviteti i viktimës, i cili merrej me shit-blerje pronash. Policia po verifikon me përparësi konfliktet e mundshme që mund të kenë lindur nga kjo veprimtari, duke e konsideruar këtë pistë si më kryesoren për zbardhjen e motivit të këtij krimi të rëndë.
Aktualisht, grupi hetimor vijon punën intensive për sigurimin e provave që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes që ka shkaktuar tronditje në zonë.