Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje shqiptare në Itali, ku një 20-vjeçar dyshohet se ka dhunuar brutalisht nënën e tij gjatë darkës së ditëlindjes dhe më pas është zhdukur, pasi është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa hidhej në det në portin e Civitanovës.
Sipas mediave italiane, i riu, Rikardo Merkuri, rezulton i zhdukur që prej pasdites së djeshme.
Në kërkimet janë angazhuar zjarrfikësit me njësinë e zhytësve nga Teramo, Garda Bregdetare dhe karabinierët. Autoritetet shpresojnë që ai të ketë dalë në një pikë tjetër të basenit portual dhe të jetë larguar në gjendje shoku, por nuk përjashtohet as skenari më i rëndë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, gjithçka ndodhi të premten rreth orës 21:00. Në banesë ndodheshin vetëm 20-vjeçari dhe nëna e tij, Albana Kastriot, pronare e një qendre estetike, ndërsa babai, Mario Merkuri, sipërmarrës në ndërtim, dhe djali tjetër i familjes ishin jashtë. Një fqinje, e alarmuar nga britmat, njoftoi menjëherë karabinierët.
Kur forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, i riu ishte larguar, ndërsa gruaja u gjet pa ndjenja në banjë. Ajo ishte dhunuar rëndë dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Maceratës. Mjekët konfirmuan frakturë të nofullës. Gjendja e saj është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë nisën kërkimet për 20-vjeçarin, i akuzuar për plagosje të rëndë me rrethana rënduese. Ai ishte larguar me automjetin e tij, një Mercedes Classe A, duke lënë telefonin celular në shtëpi, i cili u sekuestrua nga hetuesit.
Automjeti u gjet i parkuar pranë hyrjes së portit të Civitanovës. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të riun teksa hyn në zonën portuale dhe më pas hidhet në det. Ai shihet teksa del në sipërfaqe, ngjitet sërish dhe hidhet edhe një herë më tej. Pas kësaj, nuk shfaqet më në pamje.
Autoritetet vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 20 vjeçarit.