Një aksident i rëndë ka ndodhur pasdite e sotme në rrethrrotullimin e TEG-ut, me një të vdekur dhe 2 të plagosur. Siç shihet edhe nga pamjet që sjell Report Tv, një mjet i tonazhit të rëndë ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga mbikalimi në aksin e poshtëm të autostradës
Sipas dinamikës fillestare të ngjarjes, kamioni ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi në Unazën Lindore, nga Farka në drejtim të rrethrrotullimit të TEG.
Sapo është afruar tek rrethrrotullimi, aty ku duhej të ndalonte për tu dhënë përparësi makinave të tjera në rreth, nuk ka ndaluar. Gjatë këtyre momenteve, kamioni ka goditur makinën “Audi” në anën e saj të djathtë, e ka marrë para për dhjetëra metra dhe më pas ka rënë nga lartësia duke përfunduar poshtë rrethit të mbikalimit. Ndërkohë në asfalt shihen me sy të lirë edhe shenjat e frenimit.
Ndërkohë, mjeti Audi është shkatërruar totalisht. Shoferi i automjetit është dërguar në Trauma dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Në gjëndje të rëndë është edhe pasagjeri që po udhëtonte me shoferin e ndjerë në mjetin e tonazhit të rëndë.
Aksidenti ka shkaktuar rradhë të gjata të automjeteve në hyrje të Saukut dhe në drejtim të Elbasanit




