Ylli Zalla, person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në lidhje me atentatin e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka reaguar sërish nga arratia duke mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje.
Teksa Policia e Shteti ka kryer një sërë kontrollesh në banesën e tij, Zalla është shfaqur pikërisht në shtëpinë e tij ku dhe ka folur për gazetarin Spartak Koka dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me atentatin e Rinasit.
Ai pretendon se në momentin kur ndodhi ekzekutimi ndodhej në banesën e tij në Fushë-Krujë, ndërsa më pas ishte larguar për disa orë drejt Patokut dhe për ngjarjen është informuar vetëm pasi është kthyer dhe ka dëgjuar lajmet.
Zalla shprehet se lëvizjet e tij mund të verifikohen përmes kamerave të sigurisë në zonë, duke shtuar se kontrollet e ushtruara nga policia në banesën dhe ambientet në pronësi të tij nuk kanë gjetur asnjë provë komprometuese.
“Mua s’më lidh asgjë, nuk kam lidhje fare. Vetëm në televizor i kam parë pamjet filmike. Nuk i njoh vrasësit. Nuk i kam shitur askujt as armë, as makinë. Shteti e di pse vjen te unë, për të mbuluar gjërat e tyre. Shefi i zonës e di”, ka thënë Zalla, teksa më tej deklaron se është vënë në shënjestër jo vetëm nga autoritetet, pro edhe nga persona të lidhur me Emiliano Shullazin, i cili ka qenë dhe një mik i mirë me Gilmando Danin.
Sipas pretendimeve të Zallës, këta persona kanë shkuar në banesën e tij dhe i kanë kërkuar të betohej se nuk kishte asnjë lidhje me atentatin
“Do dorëzohem, të dalë e vërteta dhe të zbardhet ngjarja e Rinasit. Mua më kanë futur në hasmëri. Më ka futur shteti në hasmëri me ngjarjen e Rinasit. Më kanë ardhur njerëz që të bëj be me zakon. Më kanë ardhur njerëzit që të bëj be për burrni. I kam bërë be si ta dojë ai, sepse nuk kam lidhje fare me këtë punë”, shprehet ndër të tjera Zalla, teksa më tej ka ngritur akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se janë duke bashkëpunuar me grupet kriminale.
Ai është shprehur se është vënë në dijeni se janë ofruar shumë të mëdha parash për eliminimin e tij, duke pretenduar se kjo bëhet për të mbyllur dosjen e atentatit pa zbardhur autorët e vërtetë.
“Shteti t’i zbardhë dhe jo të më turrët mua. E kam zbuluar në mënyrë private që shteti do të më vrasë. Kanë paguar bandat 500 mijë euro që të vrasin Ylli Zallën. Bandat me shtetin”, ka thënë ai.
Pjesë nga intervista:
Ylli Zalla: Automatikisht nuk kam lidhje me atë ngjarje. Thjesht, më datën 12 në Fushë-Krujë më ka pyetur shefi i zonës, Burim Dragusha, me një oficer tjetër: “Ku e ke vëllain?” Vëllai ishte në burg. Të nesërmen, mbasdite, nga ora 1-2, më ka ardhur në kontroll policia. Policia ka ardhur dhe më ka marrë një oficer policie: “Jemi te shtëpia jote.” Ata kanë kontrolluar. Unë kam qenë në Fushë-Krujë. Në lidhje me ngjarjen, kur është bërë, unë kam qenë me një Fati Alla, duke ngrënë bukë te shtëpia ime. Ai ka ikur për në shtëpinë e vet, unë kam ikur te një miku im në Patok. Kur jam kthyer nga Patoku, kam dalë në rrugë të Krujës dhe aty kam marrë vesh që ishte bërë një ngjarje në Rinas.
Pastaj kam ikur në Fushë-Krujë, në qytet, kam pirë kafe dhe kam ardhur në shtëpi. Kur ka ndodhur ngjarja, kam qenë te shtëpia. Kamerat janë te fabrika. Këtu jam 100%, s’kam lidhje. Nuk e di i ka marrë shteti apo jo kamerat. Pas tre ditësh doli që kanë kapur arsenal të madh armësh. Nuk kanë gjetur asgjë te shtëpia dhe kasollet e mia. Kjo është kasollja ime, këtu nuk më kanë kapur asgjë. Këtu kanë ardhur në datën 13-14. Unë s’kam qenë në shtëpi fare, ika se kisha punët e mia. Më ka marrë një shef i Krimeve. I thashë: “Hajde më merr, sa ta laj makinën”, dhe erdha. “Hajde se po vij unë”, më tha. Kur vij unë nga rruga mbrapa, shoh policinë. Kanë bërë kontroll.
Spartak Koka: Kur e more vesh që po akuzoheshe për Rinasin?
Ylli Zalla: E kam kuptuar kur e dhanë lajmet. Unë nuk erdha fare këtu nga frika.
Spartak Koka: Kur doli në media që ti kishe lidhje me Rinasin, çfarë mendove?
Ylli Zalla: U habita. Si ka mundësi kjo punë? Çfarë më bëri mua shteti kështu? Burim Dragusha, dy ditë më parë, më ka thënë: “Ku e ke vëllain?” “Vëllai është në burg”, i thashë. Sot më ka kërkuar, më thotë: “Do të të bëj be me 40 burra.” Burim Dragusha dhe Krenar Estrefi, shefi i Krimeve, në bashkëpunim, këta i kanë bërë.
Spartak Koka: Çfarë të lidh ty me vrasjen e Rinasit?
Ylli Zalla: Mua s’më lidh asgjë, nuk kam lidhje fare. Vetëm në televizor i kam parë pamjet filmike. Nuk i njoh vrasësit. Nuk i kam shitur askujt as armë, as makinë. Shteti e di pse vjen te unë, për të mbuluar gjërat e tyre. Shefi i zonës e di.
Spartak Koka: Të kam parë që ke postuar në rrjetet sociale, te JOQ ka dalë edhe një video e jotja. Ke qenë i revoltuar?
Ylli Zalla: Kam qenë i revoltuar se më është turrur shteti këmba-këmbës të më kapë dhe të më vrasë. Në mënyrë private… të mbyllin dosjen e vet. Nuk është i zoti të zbardhë ngjarjen, të hapë kamerat. Ka fikur dritat në Rinas, siç thonë në televizor. Gilmando Danin dhe Shullazin nuk kam pasur konflikt. I njoh, mund t’i kem takuar nëpër burgje.
Do dorëzohem, të dalë e vërteta dhe të zbardhet ngjarja e Rinasit. Mua më kanë futur në hasmëri. Më ka futur shteti në hasmëri me ngjarjen e Rinasit. Më kanë ardhur njerëz që të bëj be me zakon. Më kanë ardhur njerëzit që të bëj be për burrni. I kam bërë be si ta dojë ai, sepse nuk kam lidhje fare me këtë punë. As kam shitur, as nuk do shes. Shteti t’i zbardhë dhe jo të më turrët mua. E kam zbuluar në mënyrë private që shteti do të më vrasë. Kanë paguar bandat 500 mijë euro që të vrasin Ylli Zallën. Bandat me shtetin.