Një akt heroik është regjistruar këtë të diel në plazhin e Velipojës, në Shkodër. Një pushues 67-vjeçar u shpëtua falë reagimit të menjëhershëm të vrojtuesit të plazhit, Besfort Gjoklaj.
Dyshohet se i moshuari pësoi një atak kardiak teksa ndodhej në ujë. Vrojtuesi Gjoklaj e nxori menjëherë nga deti, ndërsa 67-vjeçari ishte pa puls dhe pa frymëmarrje.
Sipas raportimeve, vrojtuesi i dha ndihmën e parë, duke kryer manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR). Pas disa minutash përpjekjesh, pushuesi rifitoi shenjat jetësore.
Menjëherë në vendngjarje mbërriti ekipi i Urgjencës, i cili e transportoi 67-vjeçarin në spital për trajtim të mëtejshëm.
Ky rast nxjerr edhe një herë në pah rëndësinë e pranisë së vrojtuesve në plazhe gjatë sezonit veror. Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e Besfort Gjoklajt shmangu një tragjedi dhe i shpëtoi jetën pushuesit.