Ngjarja tragjike e ditës së sotme në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën dhe një tjetër po lufton me vdekjen nga një shofer i papërgjegjshëm, ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet.
Luiz Ejlli nuk ka qëndruar i heshtur përballë kësaj drame, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë dhe për mediat që po e kthejnë atë në një spektakël për klikime.
Fituesi i Big Brother VIP ka bërë një reagim të ashpër dhe të drejtpërdrejtë drejt atyre që tentojnë të përfitojnë nga fatkeqësitë.
“Dy fëmijë nuk jetojnë më… Një i tretë lufton mes jetës dhe vdekjes. Dhe ndërkohë, disa portale vazhdojnë të bëjnë atë që dinë më mirë: Të ushqehen me tragjedi,” shkruan Luizi i indinjuar në Instastory-n e tij. Ai ka kritikuar ashpër portalet që e kanë ndarë lajmin pa asnjë filtër njerëzor, duke shkruar qartë: “Videot e aksidentit nuk janë ‘kontent’. Nuk janë ‘klikime’. Janë sekondat e fundit të jetës së fëmijëve. Janë dhimbja më e madhe e një familjeje që po copëtohet. Kush i publikon, nuk është gazetar, është bashkëfajtor në çnjerëzim.”
Por reagimi i tij nuk u ndal vetëm te gazetaria e papërgjegjshme. Ai preku drejtpërdrejt thelbin e problemit, sistemin e drejtësisë. “Po aq fajtor është një sistem që fle, një kod penal që nuk tremb askënd, një drejtësi që reagon vetëm pasi gjaku është derdhur,” u shpreh ai, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm. “Ky vend ka nevojë urgjente për ndryshim! Kodi penal duhet të ashpërsohet! Jo nesër, SOT!!! Sepse sot janë këta fëmijë, nesër mund të jenë të tjerë.”
Në fund të mesazhit të tij të ndjerë, Luizi kujtoi se banorët e kishin ngritur alarmin më herët për rrezikun në atë rrugë, por pa asnjë zgjidhje. Ai e mbylli postimin me një mesazh të fortë reflektimi për të gjithë: “Sepse sot nuk humbëm vetëm dy fëmijë… Sot humbëm edhe një pjesë të ndërgjegjes sonë si shoqëri.”
