Policia e Lezhës dhe Kurbinit ka vënë në pranga dy persona si autorë të dyshuar të veprave penale të dhunës në familje dhe armëmbajtjes pa leje.
Një 33-vjeçar nga Lezha, i identifikuar si M.P., është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait të tij.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 5 kallëpësh tritoli, një pushkë dhe municion luftarak. Përveç dhunës në familje, ndaj 33-vjeçarit rëndon edhe akuza e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit shpërthyes.
Ndërkohë, një tjetër operacion i Policisë së Kurbinit ka çuar në arrestimin e një 48-vjeçari, me inicialet G.K., banues në Mamurras. Ky i fundit dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.
Të dy personat janë ndaluar nga organet kompetente dhe materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.